Ka qenë futbollist kampion, ka veshur edhe fanelën kuqezi, si dhe ka fituar titull si trajner. Hysen Dedja është një nga personazhet më të njohur të futbollit në Shqipëri, dhe ky shkodran tipik i “topkëmbës” jep verdiktin e tij lidhur me kombëtaren që drejton Edi Reja. “Më shumë sesa rezultatet, – thotë ai, – më zhgënjen loja. Mundet të fitosh, mundet edhe të humbësh, por ekipi ynë ka harruar që të bëjë 7-8 pasime radhazi pa gabuar. Më parë ka qenë ndryshe. Kemi lojtarë që luajnë në ligat më të forta në botës, Angli, Spanjë, Itali, me këta duhet të pretendojnë Botërorin dhe Europianin, jo të jemi këtu ku jemi”.
Trajneri Reja tha se nuk e kuptoi se çfarë ndodhi në pjesën e dytë ndaj Izraelit, po ashtu si ndaj Islandës. “Si mundet që trajneri thotë se nuk e kuptova pjesën e dytë, – shprehet Dedja, – këto nuk janë dy ndeshjet e para të tij me kombëtaren. Ka 2-3 vjet këtu. Nëse nuk arrin ta kuptojë atëherë duhet të hapë krahun dhe t’i lirojë vendin një tjetri”.
Sfidanti.al