Jemi në prag të Estonisë, më në fund një miqësore, nga e cila kanë “dezertuar” plot 11 lojtarë, por mendja shkon vetvetiu tek Liga e Kombeve dhe Izraeli. Trajneri i kombëtares, Edi Reja, pasi foli për përgatitoren e kësaj të hëne në “Arenën Air Albania”, u detyrua të sqaronte edhe për atë që ndodhi dhe se çfarë na pret në Ligën e Kombeve. “Ne jemi ende në këmbë, – tha italiani, – Nuk jemi aspak të vdekur. Kemi ende dy ndeshje dhe së pari do të shkojmë në Izrael për të treguar forcën tonë. Duhet të jemi me mentalitetin e duhur, duke pasur parasysh se Izraeli është një skuadër e fortë. Pastaj kemi Islandën në shtëpi. i kemi ende të gjitha mundësitë, por së pari duhet të besojmë se mund t’ia dalim. Nëse shkojmë atje me mendimin se po pësuam gol do të marrim fund, atëherë nuk ka asnjë mundësi. Mund të jesh edhe 0-2 dhe të fitosh, por duhet të besosh”. Dakord, e vërtetë që ka ekipe që kanë kthyer rezultate edhe me 0-2, madje edhe me 0-3, por së pari Reja duhet të bëhet “doktor” dhe të gjejë diagnozën e saktë të “sëmundjes kuqezi”. Vetëm pas kësaj mund të përpiqemi të imitojmë Realin apo Liverpulin.
Sfidanti.al