Një ekip i tillë e bën që të mos ketë frikë thuajse asgjë. Skënderbeu do të luftojë për kualifikim përtej fazës së grupeve në Ligën e Europës, diçka për të cilën është i sigurt presidenti Ardian Takaj. Numri 1 i korçarëve i kishte bërë menjëherë llogaritë, duke iu dukur krejt normalë Dinamo e Kievit, Partizani i Beogradit dhe Jang Bojsi i Zvicrës.
“Prisnim të vinte të paktën një ekip i madh në Elbasan, – tha ai, – por shorti ishte i tillë dhe ne kemi të drejtë që të kemi pretendimet tona për diçka më shumë. E meritojmë të pretendojmë sepse kemi kaluar tre ekipe të fortë si Kairati, Mlada dhe Dinamo e Zagrebit, ndonëse kualifikimi nga grupet do të ishte përtej asaj që mendohet për një ekip shqiptar”.
A e kishte menduar Takaj se ekipi i tij do të arrinte kaq larg këtë edicion? “E mendova pasi kaluam bindshëm Kairatin dhe më pas Mladën, – rrëfen presidenti, – ne u përgatitëm për maksimumin, pra synimi ynë ishte faza e grupeve”.
Çfarë vlerëson ai tek skuadra e sotme, që po vazhdon traditën e formacionit të viteve të kaluara. “Vlerësoj punën e madhe dhe seriozitetin e trajnerit Daja, po ashtu edhe punën e futbollistëve, arritja në grupet e Ligës së Europës nuk ishte rastësi, por pasojë e një pune të madhe që është bërë, – analizoi bosi i klubit, – kaluam 4 ture, gjë që nuk kishte ndodhur ndonjëherë më parë, ndaj e quaj të veçantë, ndonëse më parë me Josën kemi qenë sërish në grupe, kemi qenë në plej of ku u eleminuam për një penallti. Nga ana financiare, atëherë ishte më mirë sepse ishim fillimisht në Champions”.
Për të dytën herë në dy vjet në grupet e Ligës së Europës, por tashmë dy vjet pa titull në Shqipëri. Mos vallë, kampionati do të jetë tashmë dëshira e madhe e Skënderbeut? “Kampionatin nuk e diskutojmë, – thotë shkurt Takaj, – jemi pretendentët kryesorë, dhe nuk do të më besonte njeri po të thosha ndryshe”.
Gjashtë vjet më parë, Takaj u bë president i Skënderbeut. A e kishte menduar veten kaq gjatë në futboll? “Kur u mundëm nga Çernomoreci në plej ofin e 2013-ës kuptova se mun të arrinim suksese të mëdha, mjafton të punonim seriozisht, ndaj edhe vazhdoj të jem pjesë e futbollit”, përfundon Ardian Takaj.
Sfidanti.al