Xhixhi Bufon ka qenë idhulli thuajse i çdo portieri në Itali, por edhe në Europë. Ka qenë, ndoshta, edhe idhulli i Thoma (apo Tomas) Strakoshës, veçse “fëmija” po ia kalon dalë nga dalë “burrit”. Vetëm 22 vjeç, portieri i kombëtares së Shqipërisë ka statistika më të mira sesa Bufoni në këtë sezon në Serinë A, ndërsa skuadrat e tyre do të ndeshen këtë fundjavë në Torino, një tjetër përballje pas asaj të Superkupës në Romë. Vlerësimet e mediave italiane për Strakoshën janë shumë të larta, aq më tepër që është tepër i ri për një portier, duke treguar një pjekuri që zakonisht vjen në moshë më të rritur për këtë rol. Shqiptari është një nga tre portierët më të mirë të Serisë A këtë sezon, së bashku me Alisonin dhe Handanoviçin e Interit.
Sfidanti.al