Mauro Icardi ka arsye për të festuar. Gjykata e Milanos ka zyrtarizuar divorcin e sulmuesit argjentinas nga Wanda Nara dhe ka rrëzuar kërkesat financiare të paraqitura nga ‘showgirl’, duke i dhënë fund betejës ligjore mes dy ish-bashkëshortëve. Sipas raportimit të “Sport Mediaset”, Wanda Nara kishte kërkuar një pagesë mujore prej 100 mijë eurosh si pjesë e divorcit, si dhe 250 mijë euro në muaj si detyrim për mbështetje ekonomike. Gjykata nuk i ka pranuar këto kërkesa, duke vlerësuar se të ardhurat dhe pasuria e saj janë të mjaftueshme për të përballuar vetë shpenzimet.
Në vendimin e saj, gjykata ka rrëzuar edhe pretendimin se Wanda Nara kishte sakrifikuar karrierën profesionale gjatë martesës me Icardin. Sipas arsyetimit të gjyqtarëve, ky pretendim nuk është provuar. Përkundrazi, ata kanë vlerësuar se fama e saj në Itali është rritur pikërisht falë martesës me futbollistin, i cili në atë periudhë ishte lojtar dhe kapiten i Interit.
Gjykata ka shqyrtuar edhe aktivitetin profesional të Nara-s gjatë viteve të martesës, duke arritur në përfundimin se nuk është evidentuar ndonjë sakrificë në karrierë që duhet të kompensohet financiarisht. Icardi reagoi edhe në rrjetet sociale, ku shprehu kënaqësinë për vendimin. “Sot festoj këtë vendim dhe fillimin e një etape të re”, shkroi sulmuesi argjentinas, i cili më herët kishte lënë të kuptohej se kishte arsye për të ngritur një dolli. Kështu, beteja ligjore mes dy ish-partnerëve duket se ka marrë fund. Megjithatë, raporti mes tyre dhe përplasjet publike në rrjetet sociale mund të vazhdojnë edhe pas zgjidhjes së çështjes në gjykatë.

