Një ndeshje futbolli mund të zgjasë 90 minuta (plus disa minuta shtesë), mund të shkojë deri në 120 me dy shtesat, por edhe mund të vendoset nga penalltitë. Masimiliano Alegri, njeriu që “merr vesh një m.. nga futbolli” (siç e shau një herë Berluskoni kur ishte tek Milani), po përpiqet të gjejë “formulën magjike” për të mundur Realin në finalen e Championsit. Interesimit të gazetarëve në Kardif, ai iu përgjigj duke u thënë se skema që do të përdorë sipas të gjitha gjasave, do ta detyrojë të jetë i kujdesshëm.
“Skema 4-2-3-1 është e tillë që kërkon kujdes, – tha trajneri juventin,- ndeshja mund të zgjasë edhe 120 minuta dhe do të kemi nevojë për zëvendësime. Dua që lojtarët e stolit të jenë vendimtarë”. Duke analizuar Realin, Alegri veçoi vetëm një dyshim. “Zidan duhet të vendosë nëse do të luajë Isko apo Bejl, – tha ai, – nëse luan Isko, Reali bëhet më i paparashikueshëm, por më i dobët në mbrojtje. Nëse luan Bejl, bëhet më i shpejtë dhe më i sigurt në prapavijë”. Fjalët e fundit të trajnerit kampion të Italisë ishin se “nuk na prish punë që kemi humbur finale në të kaluarën”.
Sfidanti.al