S’ka më Junajtid, Liverpuli – klubi me më shumë trofe në Angli

Rivaliteti mes Mançester Junajtidit dhe Liverpulit është një nga më të mëdhenjtë në futbollin botëror. Junajtidi, falë epokës së ser Aleks Fergusonit, ka vite që është klubi me më shumë trofe në Angli, të paktën, kur është fjala për titujt e Premier Ligës (20).

Por, tani Junajtidi u “rrëzua nga froni”, kur është fjala për numrin e përgjithshëm të trofeve të turneve më të mëdhenj të skenës së brendshme dhe evropiane. Liverpuli pati fat në ruletën e penalltive në finalen dramatike të Supërkupës së Evropës dhe e fitoi këtë të fundit, duke e lënë Çelsin me “gisht në gojë”.

Ky trofe për “të kuqtë” është i veçantë, sepse ai është i 43-ti në historinë e futbollit anglez, duke llogaritur trofetë e fituara në Premier Ligë, FA Kupë, Kupën e Ligës në Angli, Ligën e Kampioneve dhe kupat e tjera evropiane, duke e kaluar kështu “rivalin e përjetshëm” dhe tani Liverpuli ndodhet vëtëm në krye të klubeve angleze.

Junajtidi ka 42 trofe, Arsenali – 30, Çelsi – 24 dhe Aston Vila – 20.

Sfidanti.al