Simeone: Plani ndaj Realit? Çdo lojtar të luajë me shpirtin e tifozëve!

Diego Pablo Simeone mund të mos ia dalë të fitojë çdo ndeshje dhe çdo trofe, por e sigurt është që fiton çdo herë respektin maksimal. Edhe kur me Atletikon e vogël përballon Realin e madh apo Barcelonën gjigande, edhe kur gabon duke tejkaluar “oktavët” e emocioneve. Kështu do të jetë edhe në përballjen e radhës ndaj madrilenëve, dhe nuk ka si të jetë tjetër. Trajneri i Atletikos është ndër të paktët që sfidon ligjet e financës në futboll, duke qenë barabar me shumë më të fuqishmit se ai.

“Motoja ime do të jetë gjithnjë që, ekipi që do të dalë në fushë duhet të luajë me shpirtin dhe motivimin e një tifozi të çfarëdoshëm të Atletikos, – tha ai, në prag të duelit, – imagjinoj që Reali do të dalë në fushë agresiv që në fillim, me Iskon pas dy sulmuesve apo me Hames Rodrigezin dhe Asension, ndërsa ne duhet të jemi gati për ta luajtur ndeshjen në mënyrë më të përshtatshme”.

Simeone nuk dëshiron të mendojë për rezultatin, thjesht synon të luhet ndeshja ashtu siç duhet, “të jemi në pozicion të mirë edhe nëse vendasit shënojnë golin e dytë, pra të kemi shënuar qoftë një gol”. Trajneri e ka të qartë formacionin, madje edhe lojtarin e krahut të djathtë, ndërsa lavdëron punën e trajnerit rival, Zidan, duke e quajtur “spektakolare”.

Sfidanti.al