Imagjinoni një ekip pa koordinata në kohë, ku të luanin njëkohësisht kampionë të brezave të ndryshëm. i tillë do të ishte edhe Juventusi tërësisht me pasaportë franceze, një ide që i ka shkuar ndër mend gazetës pariziene, “L’Ekip”. Shumica e lojtarëve të formacionit prej 11 vetësh do të ishte e përbërë në mënyrë absolute nga yje të nivelit më të lartë të të gjitha kohëve.
Nuk mund të jetë ndryshe kur në fazën sulmuese, prapa numrit tipik “9” do të ishte dyshja legjendare Mishel Platini-Zinedin Zidan. i pari luajti në vitet 80-të, i dyti në vitet 90-të. Në mbrojtje do të ishin dy kolosë si Lilian Turam dhe Patris Evra, ndërsa treshja e mesfushës do të ishte padyshim fantastike. Merreni me mend, krah për krah, Patrik Vieira, Didie Deshamp dhe Pol Pogba.
Në sulm do të ishte legjenda tjetër, David Trezege, ndërsa lojtarë më të “zakonshëm” do të ishin Bonefua në portë, apo Zebina e Bumsong në mbrojtje. Ja formacioni: Bonefua – Zebina, Turam, Bumsong, Evra – Vieira, Deshamp, Pogba – Platini, Zidan – Trezege.
Sfidanti.al