Simeone: Jam i lumtur për të gjithë, Atletiko është sërish e madhe

Është një njeri në qiellin e shtatë, ndonëse ka një karakter tepër të fortë. Diego Pablo Simeone është gjithashtu një njeri mjaft emocional, siç janë përgjithësisht latinët, dhe ishte e vështirë të mbante veten pas një suksesi kaq të madh. Atletiko doli kampione e Spanjës, dhe argjentinasi e kupton se çfarë arritjeje është në sfidën e jashtëzakonshme ndaj gjigandëve Real Madrid e Barcelona. Më në fund ekipi i tij ia doli dhe Simeone shpreh ndjenjat, por edhe gjykimet e tij.

“Jam i lumtur për kaq shumë njerëz, – theksoi tekniku, – në këto momente më vijnë ndër mend shumë njerëz që humbën jetën, familjarë, miq, tifozë. Këtë vit, fitorja e titullit nga Atletiko padyshim është e ndryshme. Ishte një vit i vështirë, siç është historia jonë. Ky ishte një nga vitet më të mirë për të dalë kampion. Dy titujt e fituar janë të ndryshëm, ndërsa bota sot është shumë e trishtuar. Shpresoj t’u kemi dhënë njerëzve një kënaqësi. Klubi vazhdon të rritet, drejtuesit kanë bërë një punë të madhe. Kemi pasur probleme, nerva, pakënaqësi, por unë jam kokëfortë. Pastaj, kemi Suarezin, që të gjithë e dimë se kush është”.

Simeone është padyshim një trajner fitues. Argjentinasi ka fituar 8 tituj si trajner me Atletikon dhe 2 si lojtar, pra ka marrë pjesë në një të tretën e trofeve të klubit (31). Si lojtar ka fituar 9 tituj, dhe si trajner 10 të tjerë. Atletiko ka 31 trofe gjithsej që janë këta: 11 tituj, 10 kupa të mbretit, 2 superkupa të Spanjës, Kupa e Kupave në 1962, Liga e Europës në 3 raste, 3 Superkupa të Europës, 1 Kupë Interkontinentale.

Sfidanti.al