NBA, Portlendi e Dallasi janë të papriturat e fillimit të plej ofit!

Spektakli është i garantuar, por edhe të papriturat nuk mungojnë. Në Europë ndoshta nuk e pëlqejnë formatin e ligave të mëdha amerikane, pa rënie e ngjitje në kategori, por gjithsesi, askush nuk i thotë jo shfaqjes së NBA-së e cila e nisi plej ofin edhe për këtë sezon. Surprizat ishin aty, sidomos me Portlendin që ia doli në Arenën e Denverit 123-109, duke mundur favoritin dhe njërën prej skuadrave më të mira të vitit.

Damien Lilard fitoi duelin me yllin e vendasve, Nikola Jokiç, dhe jo vetëm sepse shënoi 34 pikë e shërbeu 11 asistë, por sidomos sepse e mbuloi nga afër lojtarin serb duke e lejuar që të jepte vetëm një asist.  Asnjë basketbollist tjetër në NBA nuk ia kishte dalë. Portlendi realizoi 19 nga 40 gjuajtjet për tri pikë duke bërë diferencën pikërisht nga distanca. Lilardi ishte autor i pesë koshave tripikësh, Entëni e Sajmëns patën nga katër, ndërsa Mekkallëm 3.  Jokiç u përgjigj me 34 pikë e 16 topa në tabela, por u pengua të kombinonte me shokët.

E papritur ndodhi edhe në Los Anxhelos, kur Dallasi mposhti Klipersat në “Stejpëll Sentër” me shifrat 113-103. Luka Donçiç udhëhoqi miqtë duke shënuar 31 pikë, madje duke realizuar një tripëll dabëll. Ylli 21-vjeçar nga Sllovenia pati 10 topa në tabela e 11 asistë duke qenë lojtari më i mirë në parket. Leonard e Xhorxh u përpoqën për Klipersat, duke shënuar përkatësisht 26 e 23 pikë, por ishin pak.

Miluoki e shmangu të papriturën, humbjen në fushën e vet me Majemin, vetëm falë koshit të shënuar nga Kris Midëllton në sekondën e fundit. Përfundimi ishte 109-107, ndërsa Janis Antetokumbo pati 26 pikë e 18 topa në tabela. Në ndeshjen tjetër të plej ofit, Bruklini e nisi me këmbën e mbarë ndaj Bostonit duke triumfuar në shtëpi 104-93.

Sfidanti.al