Edhe një herë tjetër e tregoi se futbolli mund të luhet pa pazare, pa hatëre, jo më me shit-blerje! Premier Liga angleze mbylli sezonin dhe dha verdiktet që kishin mbetur, Liverpuli e Çelsi u kualifikuan për në Champions për edicionin tjetër, ndërsa Leisteri mbeti jashtë! Një dramë e vërtetë për “dhelprat” e trajnerit Brendan Roxhers, që kishin fituar kupën pak ditë më parë. “I dogji” Totenhemi madje brenda në stadiumin e tyre, edhe pse Spërsat nuk kishin asnjë interes për të luajtur, përveçse për të respektuar garën. Dy herë Leisteri kaloi në epërsi, por dy herë londinezët reaguan, duke barazuar e përfundimisht duke fituar 4-2. Harri Kejn, autogoli i Shmajkelit dhe dy herë Garet Bejli vlejtën më shumë sesa dy rrjetat me penallti të Xhemi Vardit. Leisteri do të luajë në Ligën e Europës.
Liverpuli e siguroi vetë Championsin e tij pasi fitoi 2-0 në shtëpi me Kristël Palasin, falë dy golave të Sadio Manesë, ndërsa Çelsi pati fat që u kualifikua në vendin e katërt, sepse u mund në fushën e Aston Vilës. Rezultati 1-2 nuk i prishi punë sepse Leisteri nuk arriti të fitonte, ndryshe do të shkonte Çelsi në Ligën e Europës. Edhe Aston Vila nuk kishte asnjë motiv renditjeje për të luajtur, por e respektoi kampionatin ndërsa në portën e bluve shënuan dy ish-lojtarë të tyre si Traore dhe El Gazi. Dy ekipet e Mançesterit fituan, 5-0 Siti në shtëpi ndaj Evertonit dhe 2-1 Junajtidi në stadiumin e Uolvesit. Kun Aguero i tha “lamtumirë” (besohet) Premier Ligës me dy golat e tij të fundit.
Java 38: Liverpul-Kristël Palas 2-0, Aston Vila-Çelsi 2-1, Leister-Totenhem 2-4, Mançester Siti-Everton 5-0, Uolves-Mançester Junajtid 1-2, Lids-Uest Brom 3-1, Arsenal-Brajton 2-0, Fulham-Njukasëll 0-2, Shefild Junajid-Bërnli 1-0, Uest Hem-Sauthempton 3-0.
Renditja: Man. Siti 86 pikë, Man. Junajtid 74, Liverpul 69, Çelsi 67, Leister 66, Uest Hem 65, Totenhem 62, Arsenal 61, Lids 59, Everton 59.
Sfidanti.al