Shumë Lebron për Indianën, Klivlendi kalon në turin e dytë

Lebron Xhejms ishte sërish më shumë sesa mund të përballonte Indiana dhe Klivlend Kavaliers “fluturoi” për në raundin e dytë të plej ofit, në krahët e yllit të vet kryesor. “Mbreti” luajti 44 minuta, shënoi 33 pikë, kapi 10 topa në tabela, shërbeu 4 asistë, i vodhi 4 topa kundërshtarëve dhe i bllokoi dy gjuajtje, me një paraqitje vërtet pak të zakonshme.

Klivlend fitoi edhe ndeshjen e katërt, 106-102 duke u kualifikuar me rezultatin e përgjithshëm 4-0. Vetëm Kajri Irving mbajti hapin e basketbollistit më të mirë të botës, duke shënuar 28 pikë, ndërsa Kevin Lov pati vetëm 5 pikë, por plot 16 topa në tabela (!!).

Indianës i mungoi kontributi i lojtarit të saj kryesor, Pol Xhorxh, që shënoi vetëm 15 pikë ndonëse luajti 43 minuta. Me 7 topa në tabela, 6 asistë, 4 vjedhje topi dhe 1 bllokim gjuajtjeje, Xhorxh nuk luajti aq keq, por nuk shënoi pikët e zakonshme që mund t’i kishin dhënë fitoren vendasve.

Xhejms vazhdon misionin e tij në NBA, drejt finales së 7-të radhazi, me shpresën për të fituar titullin e katërt. Natyrisht nuk do ta ketë të lehtë pasi favorit mbetet Golden Stejti i Durantit, Kërrit dhe Tompsonit.

Sfidanti.al