Nuk janë ndër më të pasurit, por po vlerësohen gjithnjë e më shumë. Në Serinë A ka një numër rekord futbollistësh shqiptarë dhe ata marrin rroga të rëndësishme në ekipet ku ndodhen. Ndër 8 lojtarë të kombëtares kuqezi në elitën italiane, më të paguarit janë Elseid Hysaj dhe Marash Kumbulla. Hysaj, që u largua nga Napoli pas shumë vitesh karrierë aty, dhe kaloi tek Lacio, fiton 1.8 milionë euro në sezon. Zv. kapiteni i ekipit përfaqësues është një nga lojtarët më të rëndësishëm për trajnerin Sarri duke qenë në formacion thuajse çdo ndeshje. Marash Kumbulla i Romës fiton po aq, 1.8 milionë euro në sezon. Mbrojtësi kuqezi, ndryshe nga sezoni i kaluar, nuk po aktivizohet nga trajneri Zhoze Murinjo, por gjithsesi pret rastin e tij.
Pas tyre janë Nedim Bajrami dhe Tomas Strakosha. Mesfushori i Empolit, një nga më të mirët në skuadër, paguhet me 1.2 milionë euro në vit. Portieri i Lacios, që ka luajtur fare pak këtë edicion duke bërë edhe ndonjë gabim, fiton po kaq, 1.2 milionë euro ndërsa pritet të bisedohet për rinovimin. Në nivelin e 1 milionë eurove është Etrit Berisha, kapiteni i kombëtares që aktivizohet me Torinon, por që nuk po luan këtë vit. Lojtarët e tjerë janë disi më poshtë, si Ardian Ismajli i Empolit me 900 000 euro, Berat Gjimshiti i Atalantës me 800 000 dhe i fundit është Rej Manaj i Specias me vetëm 420 000 euro rrogë në vit. Vlen të theksohet se të 8-të kuqezinjtë marrin më pak sesa Paulo Dibala, ata kanë në total rrogë 9.1 milionë euro, ndërsa argjentinasi i Juventusit fiton 10 milionë euro në vit me kontratën e re.
Sfidanti.al