Sër Aleksi “nuk bëhet hasha”! Legjenda skoceze ktheu Ronaldon tek Junajtidi!

Aspekti financiar padyshim që ishte shumë i rëndësishëm, sepse në fund të fundit klubi në “Old Traford” pranoi të paguante rreth 25 milionë euro për kartonin. Pra, Juventusi u kënaq! Po ashtu, Mançester Junajtidi pranoi t’i jepte legjendës portugeze një rrogë prej rreth 480 000 paundësh stërlina në javë, që do të thotë rreth 25 milionë paundë stërlina në vit, e pra rreth 29 milionë euro në sezon. Sidoqoftë, pati edhe një telefonatë që ndikoi fuqishëm dhe kjo ishte thirrja direkte e Sër Aleks Fergusonit për Kristiano Ronaldon.

Trajneri i madh skocez, që e mori CR7-ën në 2003 nga Sportingu i Lisbonës, e nxiti atë që të kthehej tek “buka e vjetër”, ndërsa pati një telefonatë edhe nga Rio Ferdinand. Të gjitha këto realizuan atë që nuk e priste thuajse askush, që Ronaldo të kthehej në “Old Traford” ku luajti 6 vjet dhe ku fitoi 3 tituj dhe Championsin në 2008. Mançester Siti nuk ishte dakord as që të paguante Juventusin dhe as që t’i jepte rrogë aq të madhe. Pep Guardiola pranoi realitetin, ndërsa fjalët e Ole Gunar Solskjerit dolën profetike, se “kur luan për Mançester Junajtidin, nuk mund të shkosh tek Mançester Siti”.

Sfidanti.al