Sauthemptoni ende “në terr” për dëmtimin e Armando Brojës!

Nuk mundi të ishte sërish kaq vendimtar. Armando Broja, shënuesi i 5 golave për Sauthemptonin këtë sezon, u duk i pafuqishëm përballë epërsisë së madhe të Arsenalit në stadiumin “Emirejts”, por përveç humbjes 0-3, trajneri Ralf Hazenhytl u shqetësua nga dalja e tij nga fusha për shkak dëmtimi. Ndeshja e futbollistit kuqezi u ndërpre në minutën e 70-të. “Ne nuk e dimë ende shkallën e lëndimit, – deklaroi trajneri austriak, – shpresoj që të mos jetë shumë serioz, por e kuptuam se ai nuk mund të vazhdonte më tej. Armando kishte probleme edhe para ndeshjes, por menduam se i kaloi dhe se mund të luante”.

Mëkat për Brojën sepse paraqitja e tij nuk ishte e keqe pavarësisht humbjes së rëndë të Sauthemptonit në Premier Ligë. Tabloidi “Deili Meil” e vlerësoi me notën 6, që ishte në mesataren e ekipit të tij, ndërsa ishte e pamundur të përballohej Arsenali. Broja ka shënuar 5 gola këtë edicion për “Shenjtorët” në kampionat, si dhe në kupat angleze, duke qenë një nga lojtarët më të mirë të ekipit, dhe më i miri në Angli për moshën deri 20 vjeç. Po ashtu, ai u bë i dyti lojtar më i ri në historinë e Premier Ligës që ka shënuar gol në 3 ndeshjet e tij të para si titullar.

Sfidanti.al