“Furitë e Kuqe” e bënë sërish lojën, por është shumë e vështirë të thyesh një ekip që mbrohet aq fort, dhe që ka lojtarë për një kundërsulm të rrufeshëm si Pogba, Grizman, Benzema e Mbape. Franca fitoi Ligën e Kombeve, edicionin e dytë, pas një finaleje tepër të fortë ndaj Spanjës në “San Siro” të Milanos, ku fuqia e sotme e futbollit botëror ia doli ndaj fuqisë që pritet të jetë e ardhmja. Përfundoi 2-1 për “gjelat” e trajnerit Didie Deshamp, me përmbysje pas golave të Karim Benzemasë në 66’ dhe Kilian Mbapesë në 80’. Pavarësisht fjalëve për krizë mes tyre, treshja e sulmit BMG (Benzema-Mbape-Grizman) po tregohet “vdekësore”.
Spanja mbajti topin 64 për qind, duke i qendruar besnike “tiki takës” së trajnerit Luis Enrike. Edhe në gjuajtjet nga loja ishte mirë, me 11 të tilla ndaj 12 të francezëve, dhe me 4 në kuadrat ndaj 5 të rivalëve, por golat ishin në të mirë të kampionëve të botës. Franca shmangu rrëshqitjen në “batakun” ku ra Gjermania e Joakim Lëvit që pati shumë më pak probleme të brendshme, dhe që nuk hasi sulme kaq të ashpra politike sesa ka ndodhur në Francë. Pas Kupës së Botës në 2018 ja ku erdhi Liga e Kombeve në 2021, duke qenë dështimi i vetëm Europiani i kësaj vere.
Francë-Spanjë 2-1 (Ojarzabal 61’, Benzema 66’, Mbape 80’)
Franca (3-4-1-2): Joris, Kunde, Varan (Upamekano 43’), Kimpembe, Pavar (Dybua 79’), Çuameni, Pogba, Lykas Hernandez, Grizman (Veretut 90’), Benzema, Mbape. Tr. Deshamp
Spanja (4-3-3): Simon, Azpilikueta, Erik Garsia, Laporte, Alonso, Gavi (Koke 75’), Buskets, Rodri (Fornals 84’), Ferran Torres (Merino 84’), Ojarzabal, Sarabia (Jeremi Santos 61’). Tr. Luis Enrike
Sfidanti.al