Është padyshim momenti i tij. Armando Broja është në gojën e të gjithëve, pasi shënoi golin që na dha fitoren 1-0 ndaj Hungarisë në Botëror. Sulmuesi 20-vjeçar krijoi një entuziazëm të jashtëzakonshëm, por gjithashtu edhe një presion mbi trajnerin Edi Reja për ta aktivizuar më shumë me kombëtaren. E vërteta është që Broja luan pak. Në një mesazh në Tuiter, jepen statistikat në 3 ndeshjet e fundit të kombëtares, me 12 minuta ndaj Hungarisë në Elbasan dhe me gol fitoreje, me 45 minuta ndaj San Marinos, me gol dhe asist, si dhe me 24 minuta ndaj Hungarisë në Budapest me golin e fitores.
Ish-sulmuesi i kombëtares, Sokol Kushta, shkruan se Broja është i vetmi që i ka dhënë 6 pikë kombëtares, kush e anashkalon është xheloz ose i paditur”. Ish-sulmuesi i Vllaznisë e i kombëtares, Roland Luçi, vlerëson vertikalitetin e pozicionalitetin në zonë, ndërsa paralajmëron se Broja mund të pengohet vetëm nga egoja e tij disi e tepruar.
Reja përgjigjet kështu. “Nuk e di pse e bëni këtë pyetje, flitet për Shqipërinë, jo për individët. Të gjithë janë titullarë. Mendoj se lojtarët në stol janë më vendimtarë se ata që e nisin në fillim sepse në start është e vështirë, ekipet janë të organizuara e të freskëta. Broja me shpejtësinë që ka, kur ka hapësira, bëhet i rëndësishëm. Mundohem ta shfrytëzoj për karakteristikat që ka, duhet të rritet nga pikëpamja e rendimentit. Nuk shërben vetëm të bësh gol, por duhet të luash për ekipin”.
Klubi i tij, Sauthemptoni i Premier Ligës, e përgëzoi menjëherë me komentin në Tuiter: Fituesi për Shqipërinë! Biznes si zakonisht, Broja! E përditshmja sportive hungareze, “Nemzeti Sport” titullon se Broja goditi përsëri dhe shqiptarët e mundën ekipin e Marko Rosit edhe në Budapest. “Lajm i keq për polakët, – shkruan e përditshmja sportive e Varshavës, “Przeglad Sportovi”, – shqiptarët mundin Hungarinë”. Në të vërtetë, Broja duhet të bindë jo vetëm Rejën, por edhe trajnerin e tij tek Sauthemptoni në Premier Ligë, që gjithashtu e aktivizon pak dhe si zëvendësues.
Sfidanti.al