“Përse e bëtë të gjithë këtë”. Kështu shpërtheu kampioni i botës pas thirrjes që i bënë nga Mercedesi për të ndërruar gomat kur kishin mbetur edhe pak xhiro deri në përfundim të Çmimit të Madh të Turqisë në Stamboll. Ljuis Hamiltoni ishte në vendin e tretë pas Maks Verstapenit dhe deri në atë kohë humbiste vetëm 3 pikë ndaj tij, duke qenë 1 pikë prapa në renditjen virtuale të Botërorit të Formula 1. Mercedesi mendoi se anglezi nuk do të arrinte ta mbante prapa Leklerkun dhe Perezin, ndaj edhe ndërroi gomat, por moti i ftohtë bëri që ato goma të mos ngroheshin siç duhet dhe Hamiltoni nuk pati shans t’i sulmonte ata që pati para tij. Tashmë, humbi 8 pikë ndaj Verstapenit, që kryeson Botërorin me 6 pikë kur mbeten edhe 6 gara deri në përfundim. “Bëmë një punë të mirë, – tha Verstapeni më pas, – ishte ditë e mirë për ne. i ruajtëm gomat dhe kjo na ndihmoi”.
Sfidanti.al