“Rrufe” e Granit Xhakës në fitoren e Arsenalit ndaj Totenhemit

Suksesi ishte i madh dhe publiku entuziast. Mbi 60 000 tifozë në stadiumin “Emirejts” u lumturuan nga fitorja 3-1 e Arsenalit ndaj Totenhemit në Premier Ligë, një sukses që i jep mundësi “topçinjve” që të ruajnë kreun e renditjes dhe të pohojnë pretendimet si kandidatë për titull në Angli. Granit Xhaka ishte një nga heronjtë me golin e tretë shënuar në minutën e 67-të, ndërsa më herët kishin realizuar Tomas Teje Partej dhe Gabriel Zhezus. Harri Kejn me penallti barazoi përkohësisht rezultatin. Filozofia sulmuese e trajnerit të Arsenalit, Mikel Arteta, doli mbi atë mbrojtëse të Antonio Kontes, pra ishte një sukses i futbollit. “Mendoj se ne ishim ekipi më i mirë që nga fillimi deri në fund, – tha Xhaka, – vuajtëm pak pasi pësuam golin, por ishim shumë më lart në pjesën e dytë. Ky është goli im i parë në derbi në Angli  dhe jam shumë i lumtur, por sidomos sepse ndihmova ekipin”. Arsenali ka 21 pikë në 8 ndeshje, me 7 fitore dhe 1 humbje, ndërsa golat janë të respektueshëm 20-8.

Sfidanti.al