“Rilindja italiane” e Roberto Mançinit!

Këto janë titujt në Itali, dhe në Europë për teknikun e të kaltërve që ka sjellë një ndryshim të madh në ekipin kombëtar katër herë kampion të botës. Italia mund të jetë një nga lavditë e futbollit në rruzull, por pas vitit 2012 ka qenë në “shkretëtirë” pa iu afruar asnjëherë suksesit në nivel ndërkombëtar. Me Roberto Mançinin kjo po ndryshon, ndonëse do të duhet “vula” e një turneu të madh si Europiani. Ndërsa, të kaltrit nisin sot aventurën europiane ndaj Turqisë, mediat theksojnë se Mançini ka mesataren më të mirë të fitoreve në historinë e kombëtares, 72 për qind, me 23 fitore në 32 ndeshje, duke humbur vetëm 2 ndeshje në3 vjet.

Në grupin eleminator, italianët patën 10 fitore në 10 ndeshje, dhe puna e Manços po e përmirëson ekipin. Ndryshe nga epokat e kaluara, si në vitet 1934-1938, 1968-1970, 1982, 1990-1994, 2006 apo 2012, Italia sot nuk ka emra të mëdhenj, por një skuadër të bashkuar. Nuk ka Meaca, Ferraris, Rivera, Riva, Faketi, Paolo Rosi, Dino Xof, Shirea, Kabrini, Viali, vetë Mançini, Baxho, Barezi, Maldini, Toti, Del Piero, Pirlo apo Kanavaro. Në fushë do të dalin lojtarë të rinj si Donaruma, Florenci, Emerson, Barela, Lokateli, Kieza, si dhe të talentuar dhe me përvojë, por jo me emrin e dikurshëm si Kielini, Bonuçi, Jorginjo, Imobile apo Insinje. Nga treshja e madhe Juventus-Inter-Milan, vetëm 6 lojtarë janë grumbulluar nga Mançini, diçka jo edhe aq tradicionale. Shpresohet që gjithashtu Marko Verrati të jetë gati. Puna e trajnerit, është cilësuar nga gazetat si “Rilindja italiane e Mançinit”.

Sfidanti.al