Reali tronditet që Orsato drejton ndeshjen ndaj Çelsit!

Fitorja e sfidës së parë është një siguri jo e vogël. Reali triumfoi 2-0 ndaj Çelsit në “Santiago Bernabeu” në çerekfinale të Championist, veçse gjithkush e di se çfarë mund të ndodhë në kthim nëse punët me arbitrin nuk shkojnë mirë. Në Madrid ka shqetësim të madh, të paktën siç raportojnë mediat, pasi u mor vesh që Daniele Orsato do të drejtojë duelin e kësaj të marte në Londër. Spanjollët nuk ndihen aspak të qetë pasi italiani ndau drejtësinë në sfidën e vitit 2020 në “Bernabeu” ndaj Mançester Sitit, fituar 2-1 nga anglezët që më pas u kualifikuan. Ata pretenduan në atë kohë se arbitri mori disa vendime në dëm të tyre, dhe që duheshin dhënë ndryshe.

Të përditshmet e Madridit i referohen gjithashtu kritikave të Luka Modriçit për gjyqtarin italian, pas gjysmëfinales së Kupës së Botës. Ylli i Kroacissë e cilësoi se “Orsato është një katastrofë, është një nga më të këqinjtë”, pas humbjes 0-3 ndaj Argjentinës së Mesit. Në total, italiani e ka drejtuar Realin në 7 ndeshje në Champions, me bilancin 3 fitore e 4 humbje dhe me 17 kartonë të verdhë, ndonëse vitin e kaluar ai ishte në gjykim kur Madridi arriti kualifikimin me përmbysje në Champions pikërisht ndaj Mançester Sitit në gjysmëfinale.

Sfidanti.al