Nuk është se pati habi të madhe kur rinisi lufta mes Kristiano Ronaldos dhe Realit të Madridit. Kjo histori është e vjetër, veçse kërshëria u rrit sepse edhe mosha e portugezit sot mund të quhet sportivisht e vjetër. Futbollisti kërkon rrogë të paktën të barabartë me Mesin dhe Nejmarin, klubi nuk dëgjon që t’ia japë. CR7-ta tregon sesa shumë ka bërë në “Bernabeu” si dhe 5 Topat e tij të Artë dhe 5 Championsët e fituar, por presidenti Perez, një biznesmen i lindur, i tregon vitet mbi shpinë dhe e pyet se çfarë mund të japë ende në të ardhmen, për të merituar superkontratën e radhës.
Telenovela më e madhe e futbollit botëror është sot në një udhëkryq, ndërsa Florentino Perez ka bërë llogaritë e veta, ashtu siç i ka bërë edhe Kristiano. Presidenti gjykon me logjikën ekonomike, dhe kjo i thotë se sot është shansi i fundit për ta shitur kartonin e Ronaldos të paktën 100 milionë euro. Sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë ulet vlera.
Kjo do të thotë se Reali mund të përdorë kartonin e Ronaldos për të arritur më lehtë tek Nejmari, dhe t’i thotë Paris SG: Merrni 200 milionë euro dhe Ronaldon, e na jepni Nejmarin! Kjo do të ndihmonte jo vetëm Madridin, por edhe Parisin, që kohët e fundit ka qenë në telash me rregullat financiare të UEFA-s. E vetmja pengesë e rëndësishme është tek dëshira e presidentit të parizienëve, Al Helaifit, për ta mbajtur Nejmarin edhe një sezon tjetër, por në nivelet e larta të futbollit, kjo mund të zgjidhet.
Pra, ku do të luajë Ronaldo sezonin e ardhshëm? Padyshim në Europë, ku ai dëshiron të luftojë sërish për Championsin dhe Topin e Artë. Atëherë mbeten vetëm Paris SG dhe Mançester Junajtid, por duket se Franca është destinacioni më i mundshëm, dhe që mund t’i japë 35 apo 40 milionë euro rrogë, pak a shumë sa Mesi.
Sfidanti.al