Nadal: Trupi i Ronaldos si i një 23-vjeçari? I im… i një 40-vjeçari!

Rafael Nadali e përfundoi “punën” që filloi një ditë më parë, duke u kualifikuar për në gjysmëfinale të turneut Grand Slam, Rolan Garos, pasi mundi 3-1 me sete Diego Shvarcmanin, një duel, mbas të cilit raketës nr.1 të botës iu bë një pyetje e papritur, por interesante në konferencën e shtypit.

Nadali, në fakt, konsiderohet si një nga ata tenistë që e çon trupin e tij deri në limit dhe me mënyrën e lojës që zhvillon, ai i lodh shumë gjunjtë e veta. Pikërisht, në këtë drejtim ishte edhe pyetja që iu bë atij, pra se ai mund të krahasohet ai me futbollistin Kristiano Ronaldo? Ky i fundit deklaroi pak kohë më parë se studimet biologjike që i ishin bërë atij, treguan se ai ka trupin e një djaloshi 23-vjeçar, ndërkohë që Nadalit iu kërkua që të krahasonte gjendjen e trupit të tij me atë të Ronaldos.

“Trupi i Ronaldos është si ai një djaloshi 23-vjeçar? Me siguri që ky i imi është i një burri 40-vjeçar, duke pasur parasysh përpjekjet që unë bëj në stërvitje dhe fushë. Megjithatë, unë nuk u kushtoj shumë vëmendje studimeve të tilla, pasi ato nuk janë për mua. Unë dua vetëm të luaj tenis dhe asgjë tjetër. Jam 32 vjeç dhe jam ashtu si jam. Unë jam i kënaqur dhe i pranoj vitet që kam realisht”, vuri në dukje tenisti spanjoll.

Sfidanti.al