Nuk mund të jetë veçse e stërmerituar një Euroligë kur fitohet përballë gjigandëve si CSKA e Moskës dhe Zheljko Obradoviç. Reali i Madridit kapërceu “malet” pasi fillimisht ia doli ndaj “Armatës së Kuqe”, ndërsa në finale bëri të pamundurën ndaj “magjistarit” europian të basketbollit, trajnerit Zheljko Obradoviç.
Spanjollët fituan titullin e 10-të kampion të Europës me suksesin dramatik 85-80 ndaj Fenerbahçes në Arenën e Beogradit. Madrilenët e patën “Obradoviçin” e tyre, trajnerin trim Pablo Laso, i cili fitoi Euroligën e dytë në karrierë, por sidomos patën ata që luajtën.
As edhe trajneri më i mirë nuk mund t’ia dalë përballë atyre që japin spektaklin në fushë. E kanë vërtetuar Bill Rasëll, Lerri Bërd, Mexhik Xhonson, Majkëll Xhordan, Kobi Brajant apo Lebron Xhejms. E kanë provuar edhe në Europë legjenda si Drazhen Petroviç, Toni Kukoç, Arvidas Sabonis e tani Luka Donçiç.
Slloveni u shpall Lojtari më i mirë i Fazës Finale, dhe tani do të shkojë me këmbën e mbarë në NBA, si kampion i Europës. Ai pati 15 pikë, 3 topa në tabela, 4 asiste, 1 vjedhje topi, 1 bllokim gjuajtjeje, 7 faulla të pësuar. La pas Fabien Kasërin po të Realit, dhe Nikolo Melin e Fenerit.
Kasër ndoshta mund të ishte lojtari më i mirë i finales, pasi shënoi 17 pikë, realizoi gjuajtjet e fundit të lira, dhe bëri bllokimin vendimtar ndaj Slukasit në sekondat e fundit. Reali përballoi ritmin e lartë të Fenerbahçes falë formës shumë të mirë të lojtarëve të kthyer nga dëmtimi dhe të gjithë skuadrës. Donçiç, Jul, Kasër, Rejes, Rudi, Kerrëll, Ajon, Tavares apo Kampaso.
Reali fitoi “desimën” (la decimal) të 10-ën Euroligë. Të bardhët ia dolën në Beograd, që përkthehet Qyteti i Bardhë, ndërsa Zheljko Obradoviç, fitues i 9 Euroligave, do të duhet të presë për të dhjetën e tij. Me siguri që do ta ketë shumë shpejt.
Sfidanti.al