Lamtumirë Iniesta, “engjëlli” i jep fund dhe mallëngjen “Kamp Noun”

Mediat spanjolle nuk harruan të shkruanin se “Andres Iniesta mund të jetë gjëja më e mirë që i ka qëlluar futbollit të vendit të tyre”. Një vlerësim i lartë për një superyll të vërtetë, por që i përket një atdheu si Spanja, që nuk i kanë munguar legjendat në asnjë dekadë.

“Engjëlli” që e deshi dhe e do i gjithë Gadishulli Iberik i dha fund me të vërtetë karrierës si lojtar i Barcelonës. Minuta e 82-të kur ai u zëvendësua e bëri gjithë stadiumin “Kamp Nou” që të qajë, dhe po ashtu të përlotur ishin edhe sytë e numrit 8.

Iniesta e mbylli karrierën si katalanas, karrierën e vetme dhe të plotë të tij, me fitoren 1-0 ndaj Sociedadit, për të cilin e mbylli karrierën edhe legjenda Shabi Prieto (Xabi Prieto). Filip Kutinjo shënoi golin e vetëm për Barçën në ndeshjen e fundit të La Ligës.

Fitoi 32 trofe me Barcelonën dhe 5 trofe me Spanjën. Nëntë herë kampion, 6 herë Kupën e Mbretit, 7 herë Superkupën e Spanjës, 4 herë Championsin, 3 herë Superkupën e Europës, 3 herë Kupën e Botës për klubet. Me Spanjë fitoi Kupën e Botës në 2010, Europianin në 2008 e 2012, Europianin U17 në 2001 dhe Europianin U19 në 2002.

Pasi shkëlqeu si pakkush në treshen magjike Mesi-Ksavi-Iniesta, ai pritet ta vazhdojë karrierën jashtë Europës. Flitet për Kinën dhe Japoninë.

Sfidanti.al