“Interi i çmendur” nuk mund të jetë kurrë normal. As kur humbet 2-3 ndaj Juventusit në “San Siro” dhe as kur fiton 3-2 në “Olimpiko” ndaj Lacios dhe siguron Championsin. Çmendurisht Inter kur mbetet 6 vjet pa Ligën e Kampionëve, kur është në prag të “thërmimit”, kur mesin e tabelës e bën vendin e tij normal.
Gjithsesi, të paktën në fund të këtij sezoni, këto janë harruar. Edhe pse nuk mundi të luftonte për titullin, realizoi objektivin e dytë të madh, kualifikimin më në fund për në kompeticionin numër 1 të klubeve në Europë.
Ishte dy herë në prag të humbjes në Romë, me Lacion që kryesoi fillimisht me autogolin e Perishiçit dhe pastaj me rrjetën e Felipe Andersonit në 41’ të pjesës së parë. Zikaltërit e trajneri Spaleti patën fatin “e derrit” përpara pushimit, pasi vendasit sulmuan gjatë gjithë kohës, dhe krijuan shumë raste, por nuk shënuan dot më shumë se dy gola.
Pas pushimit, Lacio sërish e nisi më mirë, por pak nga pak ndeshja u ekuilibrua dhe milanezët patën më shumë forcë psikologjike. Dy gola në minutat e fundit sollën përmbysjen, ndihmuar nga gabimi i interistit të radhës, De Vraj (shkaktoi penallti ndaj Ikardit), dhe nga kartoni i kuq për Senad Luliçin.
Keqardhje që dështoi skuadra me më shumë gola të shënuar në Serinë A, këtë sezon, plot 89 ndaj 86 të Juves, por edhe ajo që pësoi shumë (49). Edhe pse ishte jo favorite, zhvilloi një sezon të madh nën drejtimin e trajnerit Simone Inzagi. Besohet se do ta provojë sërish vitin e ardhshëm. Në fund të fundit ka një vlerë gati dy herë gati dy herë më të paktë sesa ajo e Interit dhe një buxhet shumë më të vogël.
Sfidanti.al