Në gusht Reali dukej i pathyeshëm, ndërsa Barcelona e shpërfytyruar pas largimit të Nejmarit. Si rezultat, nuk pati duel në Superkupën e Spanjës ku madrilenët fituan 3-1 e 2-0, madje duke pasur të pezulluar Kristiano Ronaldon në ndeshjen e dytë. Madridi mund të ndihet mirë, por nuk është kështu.
Edhe pse ka fituar 5 trofe të mëdhenj, të fundit në Kupën e Botës për klubet, ekipi i Zidanit është 11 pikë prapa në renditjen e ligës spanjolle. Barcelona e ka marrë veten, me Lionel Mesin si shënuesin më të mirë të kampionatit (14 gola), me portierin Ter Shtegen, me skemat e trajnerit Valverde, me vetëm 8 gola të pësuar, dhe duke qenë një nga 3 ekipet e mëdhenj të Europës pas asnjë humbje këtë sezon.
Iniesta duket sërish lider i mesfushës, Paulinjo po tregon se ia kanë vlejtur 40 milionë eurot për të, ndërsa efekti Nejmar po zhduket, me Rakitiçin, Zhordi Albën, Alkaserin apo Delofeun, në pritje të kthimit nga dëmtimi të Usman Dembelesë (që nuk do të rrezikohet në “El Klasiko”).
Po Reali? Po fiton shumë trofe dhe Ronaldo është sërish në formë, por Bejl dëmtohet shpesh, Benzema ka humbur, ndërsa Kejlor Navas është i paralajmëruar. Shumë kartonë, shumë përjashtime dhe shumë pikë të lëna në “Bernabeu”. Asensio nuk është më ai i gushtit, ndërsa Isko nuk po luan gjithnjë. Sidoqoftë, të shtunën në orën 13:00, Realit nuk i lejohet asnjë gabim. Nuk i bën punë as barazimi.
Sfidanti.al