Ranieri trondit Italinë: Lacio ia ka lënë ndeshjen Interit më 2010!

Klaudio Ranieri që konsiderohet si një nga trajnerët më të qetë dhe që gjithnjë tregon respekt për kundërshtarin, ditët e fundit “ka ngritur shumë pluhur” në Itali, pasi ai bëri akuza serioze në adresë të Lacios. Ranieri që tani drejton Romën, e akuzoi Lacion se më 2010 ky ekip roman e kishte humbur qëllimisht ndeshjen ndaj Interit, duke ia lehtësuar atij rrugën drejt titullit të kampionit.
Ranieri, në fakt, u provokua nga një gazetar që e pyeti atë, nëse ekziston mundësia që Lacio t’ia lejë ndeshjen Atalantës që është konkurrentja direkte e Romës në garën për t’u kualifikuar për në Ligën e ardhshme të Kampioneve.
“Një gjë të tillë ajo (Lacio) e ka bërë më 2010 me Interin, por ne duhet të përqëndrohemi te ndeshja jonë. Unë vetë gjithnjë kam qenë korrekt dhe kjo është më e rëndësishme për mua. Me të tjerat le të merren ata që drejtojnë futbollin italian”, vuri në dukje Ranieri para ndeshjes së Romës me Xhenovën në fushën e kësaj të fundit.
Ndaj akuzës së Ranierit reagoi menjëherë Lacio.
“Liga italiane duhet të ndërhyjë mbas deklaratës së Ranierit. Akuza e tij është e rëndë dhe serioze, kështu që ai duhet të japë prova. Lacio nuk do që të hyjë në konflikt me Romën, por ne e kemi si detyrë që t’i mbrojmë pozitat tona, kur ato kërcënohen nga deklarata të tilla që nuk bëjnë asgjë tjetër, veçse e rrisin edhe më shumë tensionin mes tifozëve të të dy klubeve”, deklaroi zëdhënësi i Lacios, Arturi Diakonale.
Sfidanti.al