Superliga, Partizani pranë titullit, por gëzon më shumë Tirana

Mund të quhet java e Partizanit, kjo e 32-ta për Superligën e Shqipërisë, sepse hodhi një hap tjetër drejt titullit, sepse mbylli “gojët e liga” që thonin se nuk shënonte shumë gola, dhe sepse i realizoi të tria rrjetat në stadiumin e Flamurtarit. Gjithsesi, java më shumë mund të quhet e Tiranës që iu afrua një objektivi aspak të lavdishëm për këtë klub të madh, por jetësor për të ardhmen, mbijetesës.

Fitorja minimale, në sekondat e fundit, ndaj Skënderbeut në “Selman Stërmasi” u shoqërua me barazimin 1-1 në Laç, mes vendasve dhe Kastriotit, duke bërë që diferenca mes ekipeve të rritej në 5 pikë, kur në lojë janë edhe 12 të tilla. Për më tepër, dueli direkt do të luhet në fushën e Tiranës.

Pa dashur të paragjykojmë, u duk sikur ndeshjet ishin “të lidhura” me njëra-tjetrën. Kastrioti shënoi me anë të Markut në minutën e 82-të, pastaj Tirana realizoi në të 91-ën me shkodranin Edon Hasani, dhe pas kësaj, kurbinasit barazuan rezultatin në minutën e 92-të. Në të njëjtën “linjë” edhe Teuta-Luftëtari që përfundoi në barazim pa gola. Tashmë Tirana e Luftëtari kanë nga 40 pikë, ndërsa Kastrioti 35, pra të tria skuadrat janë sërish në garë për mbijetesën.

Për Partizanin, ndërkaq, nuk mund të kishte asnjë dyshim, pasi vetë ndeshja ishte “e vërtetë”. Të kuqtë i dhanë kënaqësi të madhe Dritan Mehmetit, që ishte trajner i parë në mungesë të Gegës së pezulluar, duke realizuar golat me anë të Asanit në 27’, Mensahut në 52’ dhe shkodranit Çinari në minutën e fundit. Partizani ka 65 pikë ndaj 55 të Kukësit që fitoi 3-0 në tavolinë me Kamzën e përjashtuar. Javën që vjen, Kukësi luan në fushën e Kastriotit, ndërsa Partizani pret Tiranën. Mos vallë do ta fitojë titullin në derbi?

Sfidanti.al