“Njeriu më i fortë i Bundesligës”, Levandovski synon rekordet

Statistikat janë të pamëshirshme dhe të pakundërshtueshme. Robert Levandovski paraqitet si lojtari me fizikun më të mirë në Bundesligën gjermane për 9 vitet e fundit!! Kjo, sepse sulmuesi polak i Bajernit ka humbur vetëm 16 nga 304 ndeshje të mundshme në kampionat gjatë kësaj periudhe, më pak se çdo futbollist tjetër. Çdo dëmtim i pësuar, ka kaluar shpejt brenda fare pak ditëve, madje edhe me frakturë në nofull apo hundë të thyer.

Ish-trajneri i Bajernit, Pep Guardiola, u shpreh në kohën e tij se “Levandovski është profesionisti më i mirë që kam njohur, në mendjen e tij ka gjithnjë ushqimin e duhur, kohën e duhur të fjetjes dhe të stërvitjes, kjo 24 orë në ditë”. Jo më kot, gruaja e tij, kampione e karatesë në Botërorë dhe Europianë, është një specialiste e të ushqyerit. Polaku nuk e ka barazuar ende rekordin e legjendave të vjetra si Franc Bekenbauer e Gerd Myler që humbën kaq pak ndeshje, përkatësisht, në 12 dhe 10 sezone, veçse atëherë ngarkesa e futbollit ishte më e vogël.

Levandovski ishte i rëndësishëm edhe në ndeshjen e sotme, që Bajerni e fitoi 3-1 ndaj Hanoverit, duke shënuar golin e parë në minutën e 27-të. Është rrjeta e 22-të këtë sezon në Bundesligë, duke qenë shënuesi më i mirë, dhe e 38-ta në edicion, ndër më të mirët në Europë. Në total, “Leva” ka 202 gola në Bundesligë, duke iu afruar Manfred Burgsmylerit (213), ndërsa ish-trajneri i tij Jup Hajnkes arriti deri në 2020. Gjithsesi, me mesataren e tij 0.71 gola për ndeshje, ai lihet prapa vetëm nga Gert Myleri më 0.85.

Sfidanti.al