Virxhil Van Dajk la shumë për të dëshiruar me lojën e tij në ndeshjen e parë gjysmëfinale të LK-së mes Barcelonës dhe Liverpulit (3-0) dhe, në fakt, kjo gjë nuk duhet të të habisë shumë, pasi qendërmbrojtësi holandez si kundërshtar kryesor kishte një nga futbollistët më të mirë të të gjithë kohërave – Lionel Mesin.
Ekspertët anglezë e kritikuan Van Dajkun për rolin e tij prej spektatori në rastin e dy golave të parë të Barcelonës. Sidoqoftë, mbas ndeshjes, Van Dajku e pranoi me sinqeritet se ai e kishte të vështirë që ta mbulonte Mesin dhe këtë ai e shprehu në deklaratën që ai bëri në zonën miks të “Kamp Nout” dhe që shpejt u bë hit në rrjetet sociale:
“Kur keni përballë Mesin dhe ai tregon më të mirën e tij, atëherë, thjesht jo vetëm unë, por edhe askush tjetër nuk ka se çfarë të bëjë. Unë jam i lumtur që nuk luaj në Spanjë dhe se nuk jam i detyruar të luajë kundër tij çdo sezon. Sipas meje, Mesi është futbollisti më i mirë në botë, ai ka diçka ekstra nga çdo futbollist tjetër dhe këtë ai po e tregon prej shumë vitesh”.
Sfidanti.al