Kapiteni mbetet kapiten, në ditë të mira dhe të këqija. Sergio Ramos nuk e harron këtë, dhe bën deklaratën që pritej prej tij, në lidhje me trajnerin e ri të Realit, Antonio Konten. “Respekti fitohet, nuk imponohet”, – ishin fjalët e qendërmbrojtësit, diçka që me siguri do t’i ketë pëlqyer shokëve të skuadrës.
Italiani njihet si trajner i ashpër, që shpesh përplaset me lojtarët e tij, dhe që krijoi shumë armiq tek Çelsi (ndonëse, jo tek Juvja). Diego Kosta ishte konflikti i hapur, por edhe Uillian, Hazar apo David Luiz sa për të përmendur disa emra.
“Gjëja më e rëndësishme në një skuadër është sesi trajneri komunikon me lojtarët, – vazhdoi më tej Ramosi me paralajmërimin e tij, – kjo është më e rëndësishme sesa aftësia teknike që mund të ketë një trajner”. Antonio Konte pra e ka marrë mirëseardhjen dhe nëse e ka kuptuar mesazhin, punët tek Reali mund t’i shkojnë mirë.
Sfidanti.al