Kilian Mbape është vendimtar edhe kur vjen me vonesë

Paris SG e vazhdoi detyrën e lehtë për të fituar të gjitha ndeshjet në ligën franceze, ndonëse suksesi në derbin me Marsejën nuk ishte nga më të thjeshtët. U desh hyrja në fushë në pjesën e dytë, e Kilian Mbapesë, që kryeqytetasit t’ia dilnin 2-0, ndërsa sulmuesi 19-vjeçar i Francës tregoi se mbetet përcaktues në çdo rrethanë.

Fillimisht, Mbape dhe Rabio u lanë jashtë formacionit nga trajneri Tomas Tuhel, për shkak se u kthyen vonë në hotel, ku ekipi ishte grumbulluar përpara ndeshjes. Ndëshkimi mbetet ndëshkim për këdo, dhe duket se pronarët e PSG-së po e kuptojnë se atë që nuk e bënë me Unai Emerin, duhet të pranojnë që ta bëjë Tuheli.

Mbape shënoi në minutën e 65-të, dhe Draksler fiksoi shifrat në sekondat shtesë, ndërsa Paris SG arriti fitoren e 11-të radhazi. Kilian Mbape, pra, mbetet i pazëvendësueshëm edhe kur vjen vonë në grumbullim, ndonëse shpresa është që ndëshkimi i trajnerit t’i bëjë mirë.

PSG ka 33 pikë të plota, duke u shkëputur në 8 pikë nga vendi i dytë, e duke e pasur diferencën e golave +32. Mbape, ndërkaq, arriti në 10 gola të shënuar në vetëm 6 ndeshje të luajtura në Ligën e Parë të Francës, duke lënë prapa Nejmarin që ka 8 gola dhe që ka luajtur 7 ndeshje. Për më tepër, francezi nuk ka pasur ndihmën e asnjë penalltie, ndërsa braziliani ka realizuar plot tri.

Sfidanti.al