Ekipi i fshatit kërcënon Bajernin në Kupën e Gjermanisë

Quhet Rëdinghauzen, është një qytezë prej më pak se 10 000 banorësh, aq sa në Gjermani mund ta quajnë fshat, dhe ka një skuadër futbolli. Fshatarëve të Rëdinghauzenit, shorti i Kupës së Gjermanisë i ka bërë një dhuratë të madhe pasi i ka vendosur përballë Bajernit të Mynihut, dhe njëri nga lojtarët që do të jetë përballë bavarezëve, quhet Azur Velagiç.

Djaloshi me origjinë nga Bosnjë-Hercegovina, është bavarez nga lindja, dhe prindërit e tij jetojnë përsëri në Mynih. Ai vetë luajti në Akademinë e Bajernit, por nuk ia doli ta vishte fanelën e ekipit të të rriturve, ndaj nisi “kurbetin” në Regensburg, Ingolshtat II dhe Homburg, e tani tek SV Rëdinghauzen.

“Unë mezi po pres që të ndeshem me Levandovskin, – thotë Velagiçi që luan mbrojtës, – pavarësisht se kë kemi përballë, ne jemi të qetë, pasi askush nuk pret gjë prej nesh, gjithçka pritet nga Bajerni”.

Rëdinghauzeni ishte një ekip amator i kategorisë së 9-të gjatë gjithë jetës së tij, por në 2009 fati ndryshoi, pasi u investua në klub nga milioneri Horst Finkmajer. Deri në 2014, ekipi ngjiti 5 kategori në 5 vjet, dhe tani është në Ligën Rajonale.

Në turin e parë të Kupës së Gjermanisë, Rëdinghauzeni eleminoi Dresdenin, ndërsa në Kupën e Vestfalisë, eleminoi Loten dhe Mynsterin.

Sfidanti.al