Koha e tyre nuk ka ardhur ende. Paris SG dhe trajneri i vet, Tomas Tuhel, dolën nga stadiumi “Anfild” të bindur thellë në vetvete se nuk ishin ende aty ku duhet. Disfata ishte me shifra (2-3) krejt normale, një humbje në dukje “për pak gjë”, por e vërteta ishte ndryshe.
Liverpuli i Jurgen Klopit e dominoi plotësisht sfidën e parë në grupin C të Championsit, një kompeticion ku parizienët çfarë s’po bëjnë për të qenë pretendentë, por ende nuk po ia arrijnë .
Anglezët dominuan plotësisht, duke mbajtur topin gati 55 për qind, diçka që normalisht nuk duhet t’i ndodhë një ekipi që ka në përbërje Nejmarin, Mbapenë, Kavanin, Markinjosin, Tiago Silvën, Mënierin, Rabionë, Di Marinë apo Bernatin. Liverpuli gjuajti 17 herë drejt portës (9 PSG-ja), me 7 gjuajtje në kuadrat (5 PSG-ja), dhe pati 13 korne ndaj vetëm 1 të miqve.
Ndeshja në “Anfild” ishte gjithsesi me shumë emocione, sepse anglezët mund të ndëshkoheshin qoftë edhe për gabimin më të vogël. Kështu ndodhi, kur ata shpërdoruan epërsinë 2-0 dhe shumë mundësi të tjera, për t’u gjendur në barazim 2-2 në minutën e 83-të. Starrixh e Milner (penallti) shënuan për vendasit, Mënier dhe Mbape për vizitorët, ndërsa zëvendësuesi Firmino vulosi fatin e ndeshjes në minutën e 91-të.
Liverpuli kryeson grupin C, me 3 pikë, ndaj 1 pike që kanë Crvena Zvezda e Napoli, që barazuan 0-0 në Beograd. PSG mbyll tabelën pa asnjë pikë pas ndeshjeve të para.
Sfidanti.al