Modesti e tipit Ronaldo: Merrni kalkulatorin dhe numëroni golat!

Sulmuesi i ri i Juventusit, Kristiano Ronaldo, më në fund, e prishi “agjërimin”, duke shënuar jo një, por dy gola në ndeshjen e fundit të Serisë A që ekipi torinez e fitoi 2-1 ndaj Sasuolës. Ronaldo e tundi rrjetën e portës kundërshtare në min. e 50-të dhe të 65-të, ndërkohë që mbas ndeshjes ai deklaroi se kishte hequr një barrë të rëndë nga shpina dhe se tani golat ai do t’i shënojë me lehtësi.
“Jam i gëzuar qoftë për shkak të fitores, qoftë për shkak se unë shënova golat e parë gjatë këtij sezoni, ndërsa duhet ta pranoj se kam qenë nervoz, por tani mund të marrë frymë lirisht. Unë nuk shënova në tri ndeshje rresht, por e dija se shënimi i golit nga ana e ime ishte çështje kohe. Unë po i përshtatem gradualisht futbollit italian dhe mendoj se tani është koha që të merrni kalkulatorin dhe të numëroni golat”, deklaroi Ronaldo.
Me dy golat që shënoi, Ronaldo arriti shifrën 400 gola të shënuar në ndeshjet e kampionateve kombëtare, ndërkohë që interesant është fakti se, që të shënonte golin e parë, atij iu deshën 28 goditje në drejtim të portës. Edhe sezonin e kaluar në Primera atij iu deshën fiks 27 shuta në drejtim të portës që të shënonte golin e parë.
Sfidanti.al