Trajneri katalanas dhe superylli argjentinas ishin gjithnjë si babë e bir, e tillë lidhja shpirtërore mes tyre, suksesi sportiv dhe respekti reciprok. Pep Guardiola këmbënguli gjithnjë se Mesi mbetej lojtari më i madh në botë edhe kur ishte tek Bajerni dhe më pas tek Man. Siti. Gjithsesi, ndjenja nuk është e mjaftueshme për të realizuar transferimet në futboll dhe historia e Pepit dhe e Mesit na kujton këngën-baladë boshnjake “Nuk mund të të them sesa vuaj”, kënduar nga Hari Mata Hari dhe Nina Badriç. Në dy strofa të këngës thuhet “erdha shumë herët për ty” dhe “erdha shumë vonë për ty”, për të treguar diferencën e moshës që e bëri të pamundur dashurinë. Për Mesin, koha ka kaluar dhe shenja më e qartë se ai nuk do të shkojë tek Mançester Siti është fakti se Guardiola ia dha Xhek Grilishit fanelën me numrin 10. Mesi nuk mund të luajë normalisht me fanelë tjetër dhe pritet të shkojë tek Paris SG, por edhe atje do të krijohej problemi i fanelës, pasi numrin 10 e mban Nejmari.
Sfidanti.al