Premier Liga, shkëputen Çelsi, Siti dhe Liverpuli!

Lufta për titull në Angli po kthehet gjithnjë e më shumë në një “garë mes tre kuajve” nëse mund të përdorim zhargonin ishullor. Çelsi, Mançester Siti dhe Liverpuli, fituan që të gjithë duke përfituar edhe nga ndalesat e rivalëve (Uest Hemit, kryesisht) për të krijuar një diferencë në krye. Blutë e Londrës ia dolën 2-1 në fushën e Uatfordit, edhe pse skuadra e Tomas Tuhelit nuk ishte në maksimumin e saj. Përkundrazi, u duk e lodhur dhe jo e rrjedhshme në lojë, duket se barazimi me Man. Junajtidin ka ndikuar. Gjithsesi, u arrit fitorja me golat e shënuar nga Mejzën Maunt në 29’ e Hakim Zijeç në 72’. Denis barazoi përkohësisht në 43’ për vendasit. Uatfordi pati më shumë gjuajtje dhe raste, por më pak gola.

Man. Siti e pati gjithashtu të vështirë në “Vila Park” ndaj Aston Vilës së trajnerit Stiven Xherrard. Cilësia më e madhe e ekipit të Pep Guardiolës vendosi ndaj dëshirës dhe vullnetit të ekipit nga Birmingami. Siti ishte ekip më i mirë (65 për qind mbajtje topi), dhe shënoi me Ruben Diasin dhe Bernardo Silvën. Oli Uotkins shkurtoi diferencën me të nisur pjesa e dytë.

Më bindëse fitorja e Liverpulit ndaj Evertonit, me shifrat 4-1. Të kuqtë mbajtën topin 70 për qind dhe dominuan plotësisht një ndeshje që pritej e vështirë. Të kuqtë e trajnerit Klop patën epërsi në çdo statistikë, madje i lejuan vetes që të ulnin ritmin, por sërish të fitonin pa problem, ndërsa shkëlqeu Mohamed Salah. “Faraoni egjiptian” pati 55 prekje të topit, 5 gjuajtje nga të cilat 3 në kuadrat dhe shënoi 2 gola. Ai është i përfshirë direkt në 21 gola në kampionat këtë sezon për të kuqtë, ndërsa në “Gudison Park” pati saktësi në pasime 85 për qind. Çelsi kryeson me 33 pikë, Siti ka 32 e Liverpuli 31.

Sfidanti.al