Barazim dhe 3 dëmtime, Sasuolo ndaj Napolin, ndihmon Milanin e Interin!

Nuk mund të përfundonte më keq ndeshja për Luçiano Spaletin, ndonëse ekipi i tij nuk humbi. Barazim në fushën një ekipi si Sasuolo që kishte mundur Milanin në “San Siro” disa ditë më parë nuk mund të quhet i keq, por gjithsesi ashtu siç erdhën punët, shijon si disfatë. Napoli kryesoi 2-0 në fushë kundërshtare me golat e shënuar nga Fabian Ruiz dhe Dris Mertens (përherë ai), por në 20 minutat e fundit bardhëjeshilët barazuan gjithçka me Xhanluka Skamakën dhe Xhamarko Ferrarin. Në fund, protesta të Spaletit për një faull dhe karton i kuq për trajnerin napolitan, ndërsa VAR-i e shpëtoi Napolin nga humbja pasi goli i Defrelit u anulua për shkak të një faulli të Berardit ndaj Amir Rrahmanit të Kosovës.

Barazimi bën që Napoli të ndalet në 36 pikë, ndaj 35 të Milanit e 34 të Interit, pra renditja në krye të Serisë A është tepër e ngjeshur. Kjo pasi Milani fitoi 3-0 në fushën e Xhennoas, kur ishte në stol legjenda e dikurshme kuqezi Shevçenko. Ibrahimoviç me goditje dënimi dhe dy herë zbulimi i sezonit Zhunior Mesias i dhanë fitoren ekipit të trajnerit Pioli që la pas disfatën e hidhur me Sasuolon. Më herët, Interi fitoi 2-0 në “San Siro” me Specian.

Sfidanti.al