Konferencën e nisi me stilin e tij të zakonshëm. Jurgen Klopi, trajneri i Liverpulit, u duk i lirshëm para gazetarëve, madje bëri shaka, dhe imitoi këngën e Bon Xhovit, “Numërimi i fundit”. Pas dy barazimeve me rezultatet 2-2 në Premier Ligë, skuadra e tij do të ndeshet sot sërish me Mançester Sitin, tashmë në gjysmëfinalen e Kupës. A thua mund të ketë mbetur ende ndonjë sekret mes dy rivalëve?
“Nuk është çështje sekreti, – thotë tekniku gjerman, – dy ekipet kanë lojën e tyre. Të dy vijmë nga Championsi, Siti ndoshta pak më i lodhur këtë herë, por kjo gjë na ndodhi neve javën e kaluar kur luajtëm ndaj tij në kampionat. Siti ishte shumë i fortë herën e fundit, ndërsa ne nuk ishim në formën më të mirë. Shpresoj të shoh një ndeshje ku edhe ne të jemi në maksimum”.
Liverpuli ka një skuadër të plotë për ndeshjen e sotme në “Uembli” në 16:30, ndonëse Diogo Zhota është në dyshim. Në të kundërt, Pep Guardiola ka shqetësime të rëndësishme tek Siti. Kevin De Brujn dhe Kajl Uolker sipas të gjitha gjasave nuk luajnë për shkak dëmtimi, ndonëse kthehet Ruben Dias në mbrojtje, e Gabriel Zhezus është i shlodhur sepse nuk luajti në Champions. Pepit iu bë e njëjtja pyetje si Klopit, pra a mund të ketë më surpriza?
“Nuk janë trajnerët që shkaktojnë të papritura, – u përgjigj katalanasi, – unë dhe Jurgeni nuk luajmë, janë lojtarët që mund të bëjën të papritura. Siti ka arritur shpesh në gjysmëfinale të Kupës, por jo gjithmonë ka fituar. Shpresoj që këtë herë t’ia dalim. Lodhja do të bëjë të vetën, por nuk ia vlen të ankohemi, nuk fitojmë asgjë. Ne kemi një shans për të arritur finalen e një turneu historik, në një ndeshje tepër të fortë ndaj një rivali të madh”. Liverpuli e ka fituar një trofe këtë sezon, Kupën e Ligës, dhe synon 4, ndërsa Mançester Siti mund të arrijë të fitojë 3 trofe.
Sfidanti.al