Ishin ndeshje që priteshin me interesim sepse luanin skuadra që rrezikonin dhe ende rrezikojnë kategorinë. Gjithsesi, Kastrioti hodhi një hap tjetër, thuajse vendimtar, drejt mbijetesës pasi mposhti Kukësin minimalisht në stadiumin e Kamzës. Krutanët fituan 1-0 me gol të shënuar nga Bedri Greca në pjesën e dytë, duke arritur suksesin e pestë radhazi në Abisnet Superligë. Një ndryshim vërtet i madh me trajnerin Emiliano Çela, që këtë herë u përjashtua me të kuq e nuk do të jetë në ndeshjen tjetër. Kastrioti ka 37 pikë, duke qenë tani 14 pikë mbi zonën që të zbret direkt në Kategorinë e Parë, dhe 6 pikë nga vendi i tretë nga fundi që të kalon në plej aut për të qendruar në Superligë. Shanset më të mëdha janë që krutanët të luftojnë për vendin e katërt pra për Europën, sesa për mbijetesën.
Egnatia ndërkaq mori një goditje në shpresat e saj për t’i shpëtuar fundit. Tirana e mundi 3-0 në Rrogozhinë duke treguar një epërsi totale. Golat u shënuan që në fillim nga Xhixha, e pastaj nga Hoxhallari e Najdovski. Fitorja e kryeqytetasve ndihmon Dinamon që është 8 pikë poshtë Egnatias, ndonëse nuk duket se blutë kanë ndonjë forcë për të mbijetuar. Vetë Tirana është gati 20 pikë para Laçit të vendit të dytë, pra fare pranë titullit kampion.
Sfidanti.al