Mund të jetë një mbrëmje për t’u mbajtur mend. “El Klasiko” i sotëm i orës 21:00 mund të jetë i fundit për legjendën më të madhe të epokës, Lionel Mesin. Superylli argjentinas, që garon me Maradonën apo Pelenë për të qenë numri 1 i historisë, nuk dihet nëse do të rinovojë me Barcelonën, pra në verë mund ta mbyllë historinë e tij të shkëlqyer katalanase. Gjithsesi, Mesi sonte nuk mendon për të ardhmen, por për të thelluar rekordet, për të arritur të tjerë, dhe për të fituar ndeshjen.
Ai është shënuesi më i mirë i dueleve Real-Barça me 26 gola gjithsej, ndërsa do të barazojë rekordin e ndeshjeve që mbahet nga Sergio Ramos, me 45. Kapiteni madrilen mungon për dëmtim. Edhe më të rëndësishme janë pikët sepse një fitore do ta bënte Barcelonën kryesuese të përkohshme të La Ligës, do ta linte Realin 5 pikë prapa, e do ta afronte Mesin me titullin e tij të 11-të në La Liga.
Katalanasit jepen favoritë për ndeshjen që do të luhet në “Alfredo Di Stefano”, edhe pse humbën El Klasikon e fazës së parë, 1-3 në “Kamp Nou”. Miqtë kanë pak mungesa si Kutinjo e Ansu Fati, ndërsa Pike është në dyshim si titullar. “El Klasiko është ndeshje e veçantë, – tha trajneri Kuman, – ne jemi mirë dhe do të luajmë për fitore. Na duhet Mesi në formën maksimale për t’ia dalë. Reali është i rrezikshëm dhe i fortë, nuk jam dakord me kritikat që i janë bërë këtë sezon. Ende mund të fitojë La Ligën dhe Championsin”.
Gjithsesi, Reali është po ashtu në formë, siç e tregoi fitorja në Ligën e Kampionëve 3-1 ndaj Liverpulit. Kampionët e Spanjës kanë shpresë të madhe te Karim Benzema, shënuesi i tyre më i mirë dhe që ka realizuar shumë gola në El Klasiko. Madrilenët, gjithsesi, kanë më shumë probleme, pasi Sergio Ramos, Karvahal, Varan dhe Hazar janë jashtë ekipit, ndërsa Valverde vetëm në stol. “Do të luajmë ndaj Barcelonës jo vetëm ndaj Mesit, – tha trajneri Zidan, – duhet të përballojmë cilësitë e rivalit. Shpresoj që ky të mos jetë El Klasiko i fundit për Mesin, as për Sergio Ramosin”.
Gazetat e Madridit si “Marka” dhe “AS” shprehin kënaqësinë që vjen sërish dita e një përballjeje të tillë, duke veçuar Benzemanë e Mesin në fushë, si dhe Zidanin e Kumanin në stol. Më të njëanshme mediat katalanase, me “El Mundo Deportivon” dhe “Sport”, që gjithashtu theksojnë se luhet për titull. Barça është e dyta në La Liga me 65 pikë, një më pak se Atletiko, Reali ka 63.
Sfidanti.al