Memushaj bën dy herë “krak”, a mund ta llogarisë kombëtarja sërish vlonjatin?!

Mosha bën të vetën dhe problemet nisin të ndihen. Ledian Memushaj jo më kot është 34 vjeç, dhe ja ku vjen ndalesa e radhës, për shkak të një operacioni në gju. Mesfushori i kombëtares, që luan në Serinë B për Peskarën iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale në Milano, e dyta pas asaj të bërë në fillim të sezonit. Futbollisti që ka luajtur pak më shumë se 1200 minuta këtë sezon dhe që ka humbur plot 11 ndeshje, nuk ishte në dy përballjet e fundit të ekipit të tij në Itali. Pritet që ai të ketë një fazë pushimi dhe riaftësimi që do të shkojë nga 4 deri në 6 javë.

Mund të thuhet se Memushaj e mbyll sezonin me Peskarën, të paktën deri në nisjen e plej ofit në Itali, ndërsa këtë vit sportiv ka realizuar vetëm 1 gol e ka shërbyer 1 asist. Vlonjati me shumë gjasë do të humbasë dy miqësoret e kombëtares shqiptare në fillim të muajit qershor ndaj Uellsit e Republikës Çeke, por nëse gjithçka do të shkojë normalisht gjatë verës, do të jetë i gatshëm për trajnerin Edi Reja në ndeshjet eleminatore të Kupës së Botës në shtator ndaj Polonisë e Hungarisë. Gjithsesi, duhet parë sesa do të vazhdojë të mbështetet ekipi përfaqësues tek mesfushori 34-vjeçar, që mund të pengohet nga mosha, ndërsa shpresa është që Nedim Bajrami të veshë fanelën kuqezi dhe ta zëvendësojë.

Sfidanti.al