Teuta në krye të Superligës, Laçi e Vllaznia i prishën punë vetes!

Duhej të kishte qenë java e Durrësit dhe kështu ndodhi. Teuta e trajnerit Edi Martini u ngjit në krye të Superligës shqiptare pas fitores 2-0 me Apoloninë, duke përfituar edhe nga barazimi i Vllaznisë me Laçin. Ndeshja në Fier nuk pati shumë histori pasi bregdetasit shënuan nga një gol në çdo pjesë loje, fillimisht me anë të Lorenco Vilës, e më pas me autor Devi Bregun. Një ekip shumë i ekuilibruar, Teuta shpesh e ka të vështirë të fitojë, por thuajse nuk humbet kurrë, dhe gjatë këtij sezoni përfiton edhe nga gabimet e rivalëve.

Një dhuratë i erdhi nga Kurbini ku Vllaznia u ndal në barazim 0-0 me Laçin vendas. Nuk mund të cilësohej rezultat i keq për shkodranët e trajnerit Tomas Brdariç, por për momentin i la dy pikë prapa durrsakëve. Vllaznia tregoi se kishte ardhur për fitore duke dominuar thuajse plotësisht në pjesën e parë, por pa mundur të shënonte. Laçi i Shpëtim Duros mesa duket po e ndjen presionin e qenies pretendent për titull dhe nuk po arrin nivelet që kishte disa javë më parë. Vllazninë e mundi 2-1 në Shkodër fazën e kaluar, si edhe në Kurbin në fazën e parë, por këtë herë thuajse zhgënjeu me lojë.

Zhgënjim edhe për Tiranën kampione. Ekipi i trajnerit Orges Shehi i kishte të gjitha mundësitë të afrohej me kreun, por mbeti edhe më prapa. Përfundoi 0-0 në Korçë, edhe pse kryeqytetasit ushtruan më shumë presion dhe krijuan më shumë sesa vendasit e trajnerit mjaft punëtor, Migen Memelli. Shqetësim tjetër ishte dëmtimi i sulmuesit kryesor, Taulant Seferi, i cili doli nga loja në minutat e fundit.

Me këtë barazim, Tirana ka 42 pikë, ndërsa Skënderbeu mbetet me shpresë për mbijetesën, duke pasur 23 pikë, tre më pak se Bylisi i vendit të 8-të. Zgjim për Kukësin, ndërkaq, që papritur fitoi thellë. Suksesi 3-0 u arrit në fushën e Kastriotit, në Kamzë, me autorë të golave Eze që shënoi dy herë dhe Lulajn.

Sfidanti.al