Mançester Siti pësoi një disfatë që nuk do t’i prishë asnjë punë, përveç moralit për ndeshjen e radhës në Champions, ndërsa Lids Junajtidi arriti një triumf të madh. Ekipi i trajnerit Marselo Bielsa fitoi 2-1 në fushën e kryesuesve të Premier Ligës, duke e merituar plotësisht. Edhe pse luajti gjithë pjesën e dytë me 10 lojtarë, sërish formacioni mik u mbajt fort në “Etihad” dhe ia doli me golat e shënuar dy herë nga Stjuart Dallas. Sitit nuk i bëri punë barazimi i përkohshëm me sulmuesin spanjoll Ferran Torres në 76’.
“Vlera e fitores rritet, – tha Bielsa, – sepse u arrit në një ndeshje që ne e dominuam dhe që kërkonte karakter, përpjekje të mëdha dhe personalitet. Duhet ta lidhim fitoren me frymën e djemve. Ata luajtën të bashkuar, ndërsa është shumë e vështirë të fitosh ndeshje si kjo e sotmja. Mendoj se e merituam, por do të ishte e ndershme të thoja se edhe Siti mund të fitonte sepse pati zotërim topi dhe rastet për gol. Lojtarët e mi u ngritën kundër vështirësive, për mua është një skuadër rebele”.
Pep Guardiola theksoi se Siti luajti një ndeshje shumë të mirë, edhe pse nuk fitoi. “Ishte e vështirë, ndonëse i patëm shanset, – tha trajneri katalanas, – ndaj Lidsit duhet të vraposh dhe ta ndalosh, ndodhi që ne nuk e bëmë. Gabuam në momentin tonë më të mirë në ndeshje. Tani le të pushojmë dy ditë e të mendojmë për Dortmundin”. Vetëm 5 ekipe kanë shënuar më shumë se Lidsi këtë vit në Premier, por ama vetëm 4 kanë pësuar më shumë gola sesa skuadra e Bielsës. Siti kryeson renditjen me 74 pikë ndaj 60 të Mançester Junajtidit, ndërsa Lidsi është në vendin e 10-të me 45 pikë.
Sfidanti.al