Prag Napoli-Milan, kush do ta fitojë derbin italian në Champions?!

Nuk dihet nëse do të arrijnë një tjetër mrekulli. Futbollistët e Napolit e kanë shkruar historinë e tyre duke arritur për herë të parë në çerekfinale të Championsit, e megjithatë shanset dhe ambicia mbetet për më shumë. Pavarësisht humbjes së sfidës së parë ndaj Milanit në “San Siro”, skuadra e trajnerit Luçiano Spaleti do të ketë në dispozicion 90 minuta apo më tepër për të përmbysur shifrat 0-1. Lajmi i mirë për vendasit është se për sfidën e sotme të orës 21:00 rikthehet sulmuesi kryesor Viktor Osimhen, ndonëse dy lojtarë janë të pezulluar. Po ashtu, sulmuesi tjetër Simeone kthehet në stërvitje, por nuk pritet në formacion, ashtu si edhe Raspadori. Spaleti kërkon një paraqitje të ekuilibruar nga Napoli.

“Duhet të tregojmë se jemi të pjekur sa duhet për t’u përballur me një skuadër si Milani, që i ka të gjitha cilësitë, – tha ai, – Ka qarkullimin e topit, shpejtësinë për të përmbysur çdo situatë, ka teknikë. Duhet të dimë të bëjmë gjithçka në këtë ndeshje, jo vetëm një gjë të vetme. Vetëm kështu kemi mundësi të dalim fitues”.

Milani ndërkaq duket më i qetë. Prania edhe e drejtorit sportiv, Paolo Maldini, i bën yjet kuqezinj që të kuptojnë se fanela e tyre ka fituar 7 herë Championsin, edhe pse për herë të fundit në 2007. Trajneri Stefano Pioli udhëhoqi ekipin në stërvitje i kënaqur që mungesat janë të pakta. Sulmuesi Olivie Zhiru u kthye nga dëmtimi, po ashtu Leao, Kjer e Tonali janë gati. Mungesë e vetme Zllatan Ibrahimoviç, ndërsa Leao është në formë të madhe.

“Po, padyshim, – ishin fjalët e Piolit, – Nuk mund të kemi asnjë vetëkënaqësi sepse kemi një avantazh shumë të vogël, ndaj një skuadre shumë të fortë në shtëpi dhe që në Champions ka shënuar në shtëpi mesatarisht 3-4 gola. Jemi shumë të kënaqur që jemi këtu, që do të luajmë këtë ndeshje të madhe. Duhet të bëjmë ndeshjen tonë, të luajmë mirë”. Milani beson se do të dijë të përballojë atmosferën në stadiumin Maradona ashtu siç bëri dy javë më parë kur fitoi 4-0 në Serinë A.

Sfidanti.al