Prag, Milan-Juventus: “Një e shtunë prej luanësh” në “San Siro”!

Vjen çdo sezon, dhe gjithmonë është e madhe. Nuk mund të cilësohet ndryshe sfida Milan-Juventus, ndërsa derbi i radhës i Serisë A luhet sot në orën 18:00 në “San Siro”. Pavarësisht sesi janë ekipet, dueli mbetet klasik dhe me emocione të skajshme, ndërsa për dy ekipet fitorja cilësohet detyrim. Sesi e pret Italia një Milan-Juve, mjafton të shohësh jehonën. “Një e shtunë prej luanësh, – bën thirrje “La Gazeta delo Sporti”, – “San Siro” me të gjitha biletat të shitura!” “Alegri në udhëkryq, – paralajmëron “Il Korriere delo Sporti”, – Juvja e dënuar (edhe nga Anjeli) që të mundë Milanin në “San Siro”!” Kampionët e Italisë kanë një listë të gjatë me të dëmtuar si Ibrahimoviç, Florenci, Menja, Mesias, Kjer, Selemekers dhe Kalabria nuk janë pak. Gjithsesi janë rikthyer Teo Hernandez, Origi dhe tani është edhe Gabia.

“Mendoj se në çdo sezon ka 2 ose 3 ndeshje që janë të veçanta, – thotë trajneri Pioli, – sfida të tilla kanë rëndësi më shumë sesa tri pikë. E tillë kjo ndaj Juventusit që ka shumë peshë. Kjo, edhe për emrin që ka rivali, por edhe sepse Juvja do të jetë kandidat për titull. Pavarësisht se çfarë ndodhi në Champions, kam besim të plotë tek lojtarët e mi. Ata do të japin gjithçka”.

Edhe Juventusi ka mungesa, sidomos Di Maria i pezulluar, por edhe Kieza, Pogba, De Shilio apo Kaio Zhorge të dëmtuar. “Si gjithmonë kjo ndeshje pritet si Milan-Juventus, – thekson trajneri Alegri, – jemi përballë kampionëve të Italisë dhe do të jetë një ndeshje më e vështirë se zakonisht, sepse ata vijnë pas një humbjeje të rëndë dhe duhet të reagojnë. Një ndeshje e bukur, një mbrëmje futbolli e mrekullueshme përpara një stadiumi të mbushur plot”. Milani është në vendin e pestë në renditje me 17 pikë, por vetëm tri pikë pas kreut, ndërsa Juventusi pas 8 javësh ka 13 pikë.

Sfidanti.al