Një tjetër engjëll “fluturon në qiell”, pas Sulë Maliqatit shuhet edhe Bashkim Muhedini!

Fatkeqësitë shpesh vijnë radhazi. Pas legjendës së moçme Sulejman Maliqati, një tjetër portier i shquar i Partizanit dhe i kombëtares mbyll sytë. Bashkim Muhedini u nda nga jeta në moshën jo edhe aq të madhe, 74-vjeçare, ndërsa prej vitesh jetonte në SHBA. Klubi i kuq kryeqytetas shprehu ngushëllimin për ish-personalitetin e tij, duke i bërë respektin atij dhe familjes së tij. Historia e tij ishte si prej një filmi, që nga fshatrat e Beratit në portën e kombëtares dhe të Partizanit, për të provuar sërish fshatrat i persekutuar në vitet 70-të.

Shtatë ndeshjet e tij me kombëtaren nuk ishin gjë e vogël në kohën kur luajti, dhe spikat ajo ndaj Gjermanisë Perëndimore në 1971. Me trajnerët e shquar si Kolec Kraja apo Loro Boriçi, ai mbrojti portën e kuqe përmbi 10 vjet. Në 1970 arriti një kulm në karrierë duke fituar Kupën Ballkanike me Partizanin. Gjithsesi, fati i jetës ndonjëherë godet egër dhe Muhedini e provoi kur ishte ende i ri. Në moshën 27-vjeçare u detyrua të ndërpriste karrierën, i prekur politikisht, dhe u largua si Tirana e u dërgua si mësues fizkulture në fshat. Prej shumë vitesh, Muhedini jetonte në Nju Jork, të SHBA-së.

Sfidanti.al