Prag Liverpul-Real, a do të realizojnë anglezët një “Dortmund” apo “Barcelonë”?!

Udhëtimet mund t’u jenë bërë ritual i mërzitshëm, por nuk është kështu këtë herë. Reali fluturoi drejt Anglisë ku e pret një sfidë me të vërtetë historike ndaj Liverpulit në Champions. Pas fitores 3-1 në Madrid, 13 herë kampionët e Europës shkojnë në besim në stadiumin emërmadh “Anfild”. Gjithsesi, mungesat vazhdojnë. Karvahal, Varan e kapiteni Sergio Ramos janë të dëmtuar, po ashtu Lukas Vaskez. Valverde e Hazar janë në dyshim.

Gjithsesi, trajneri Zinedin Zidan ka mjaft yje, që nga porta e deri në sulm, sidomos treshen e mesfushës Kasemiro-Kros-Modriç. “Ne e dimë se çfarë ndeshjeje na pret, – tha Zizuja, – jam i sigurt se do të jetë e vështirë, por do të vazhdojmë të bëjmë atë që kemi bërë deri tani. Do të luftojmë, do të mbrohemi mirë dhe të sulmojmë, nuk kemi ardhur vetëm për t’u mbyllur prapa”.

Liverpuli ndërkaq po përgatitet me kokën ulur. Për më tepër, dëmtimet mbeten si Van Dajk, Gomez, Matip e Henderson. Në qendër të mbrojtjes do të luajë dyshja pa përvojë Kabak-Filips. Shpresa është tek treshja e sulmit me Salah, Mane dhe Zhotanë ose Firminon.

“Duhet të jemi në 100 për qind që t’ia dalim ndaj Realit, – thotë trajneri Jurgen Klop, – as nuk mund të mendojmë se mjafton që luajmë në “Anfild” dhe mund ta përmbysim, aq më tepër që jemi pa tifozë. Vlen vetëm ajo që do të bëjmë këtë herë. Nuk duhet të pësojmë gold he të shënojmë të paktën 2 gola”.

Liverpuli ia ka dalë në të kaluarën të realizojë përmbysje të jashtëzakonshme, madje edhe me Klopin në stol. Kështu ndodhi ndaj Dortmundit në Ligën e Europës në 2016, dhe sidomos kundër Barcelonës në Champions tre vjet më parë, me shifrat 4-0 në “Anfild”. Gjithsesi, ndaj Realit duhet kujdes. Jo më kot, gjigandët spanjollë mundën 4-0 Bajernin e Guardiolës në Mynih në 2014, kur gjermanët donin përmbysje. Anglezët do të bëjnë mirë të këshillohen me Juventusin, pasi italianët thuajse realizuan përmbysjen më të pabesueshme në histori kur fituan 3-1 me Realin në Madrid në 2017.

Sfidanti.al